“Ora e Tokës dhe sfidat e qyteteve”

Kjo fushatë i ka fillesat e saj në Suedi, me qëllim festimin e Orës së Tokës në vitin 2011. Nisma e “Orës së Tokës dhe sfidave të qyteteve” synon të promovojë qytete në botë, të cilat kanë ndërmarrë aktivitete të veçanta për gjelbërimin e tyre, për pastrimin dhe një jetë më të qëndrueshme në to, duke frymëzuar shumë qytete të tjera të ndërmarrin të njëjtat veprimtari.

“Ora e Tokës dhe Sfidat e Qyteteve” – Historiku dhe objektivi

Aktualisht bota është në një urbanizim të shpejtë dhe qytetet emetojnë CO2, nga përdorimi i karburanteve fosile. Deri në 2050, është parashikuar se më shumë se 2/ 3  e popullsisë botërore do të banojnë në qytete, kështu që rreth 350 trilion USD do të investohen për ndërtimin e infrastrukturës urbane. Nëse çdo individ do të kishte këtë mënyrë jetese që kanë sot banorët e qyteteve të zhvilluara, atëherë do të na duhen më shumë se tre planetë Tokë. Varësia jonë për sigurimin e energjisë nga karburantet fosile do të vazhdojë edhe për shumë kohë. Por, lajmi i mirë është se ekzistojnë zgjidhje për reduktimin e pasojave që shkakton emetimi i dioksidit të karbonit në qytete. Bazuar në strategjitë e zhvillimit, duke përdorur praktikën e planifikimit urban dhe përdorimin e energjisë së ripërtëritshme, investimet e mëdha në qytete mund të shndërrohen në potenciale të fuqishme për zgjidhjen e problemit të sigurimit të burimeve natyrore në këtë planet. “Ora e Tokës dhe Sfidat e Qyteteve”, është një nismë e organizuar nga WWF, për zhvillimin e aktiviteteve, nga qytetet, në kuadër të ndryshimeve klimatike, si dhe të ekzistencës së “një planeti”. Kjo fushatë përbën një sfidë globale, për qytetet që kanë synim të ulin emetimet e karbonit, si dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme për dekadat e ardhshme. Qëllimi kryesor i kësaj fushate “sfidë” në vitin 2012, ishin veprimtaritë në kuadër të ndryshimeve klimatike, së bashku me uljen e emetimeve të karbonit dhe zgjidhjet përmes përdorimit të energjisë së rinovueshme, si dhe shpalljen e fushatës “një planet për të jetuar” për banorët e qyteteve. Kjo iniciativë ka si qëllim edhe të rrisë bashkëpunimin midis qyteteve në botë që kanë synim të realizojnë objektivat e sipërpërmendura.

Ora e Tokës dhe Sfidat e Qyteteve

78 qytete nga 6 vende pilote (Kanada, India, Italia, Norvegjia, Suedia, SHBA) kanë marrë pjesë në këtë iniciativë në vitin 2012. Këto qytete përfaqësojnë 29 % të të gjithë qyteteve që raportojnë në cCCR (carbonn City Climate Reports). Ndërkohë që 17 qytete u përzgjodhën si finaliste për të marrë çmimin “Kryeqyteti Ora e Tokës”. Këto qytete janë renditur më poshtë sipas rendit alfabetik:

  • Kanada: Colwood, Surrey, Vancouver
  • Indi: Cochin, Coimbatore, Delhi
  • Itali: Forli, Siena
  • Norvegji: Arendal, Oslo, Stavanger
  • Suedi: Malmö, Stockholm, Uppsala
  • SHBA: Chicago, Cincinnati, San Francisco

Më 19 mars në Malmö, Suedi do të përzgjidhen edhe qytetet fituese të çmimeve ndërkombëtare të Orës së Tokës:

  1. Forli, ka zhvilluar një projekt, duke angazhuar një pjesë të konsiderueshme të banorëve të qytetit. Bashkia e qytetit ka zbatuar projektin e ndërtimit të pajisjeve për reduktimin e mbetjeve urbane dhe masat për ripërdorimin e tyre.
  2. Colwood është një nga tre qytetet kanadeze që ka si synim të reduktojë ndjeshëm emetimet e dioksidit të karbonit deri në vitin 2050, si dhe të shfrytëzojë energjinë e ripërtëritshme.
  3. Cincinnati është duke planifikuar një strategji për uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit, për një të ardhme të qëndrueshme. Ky qytet synon të reduktojë me 2 % emetimet e karbonit për 42 vitet e ardhshme. Plani përfshin promovimin e një metroje për transportin publik, edukimin e brezave të ardhshëm për një jetë më të qëndrueshme, si dhe pyllëzimin e shumë zonave.
  4. Cochin është një nga qytetet pionere të Indisë që ka si qëllim vendosjen e një sistemi për shfrytëzimin e energjisë diellore. Ky qytet ka realizur një pjesë të mirë të projektit, duke nisur me vendosjen e sistemeve për shfrytëzimin e energjisë diellore për ndriçim në ndërtesa dhe në aeroport- për herë të parë në Indi.
  5. Stavanger, ka krijuar një “trampolinë” të sigurt, për të kaluar në një të ardhme të qëndrueshme për qytetin. Projekti i qytetit është të reduktojë fuqishëm emetimet e dioksidit të karbonit.
  6. Malmö është një nga qytetet që ka impresionuar këdo. Projekti kryesor i tij, është planifikimi urban dhe pjesëmarrja në të edhe i banorëve të qytetit. Një nga zonat shembull që frymëzon çdo qytet tjetër është Fullriggaren, që synon të jetë zona me klimën më të qëndrueshme të qytetit, që nga viti 2020.
  7. Uppsala është një nga qytetet shembull, ku vendimet për qytetin merren si nga pushtetarët, por edhe në bashkëpunim me banorët e tij. Kjo strategji ka rezultuar shumë e suksesshme, me synim që të përdoret biogazi dhe transporti publik të mos përdorë më karburantet fosile.
  8. Siena është qyteti i parë në Itali që synon emetimet në nivelin zero të dioksidit të karbonit. Nisma “Siena Pa Karbon 2015” ka në themel ndërmarrjen e një numri të madh masash për arritjen e qëllimit kryesor. Investimet që do të bëhen janë në lidhje me përdorimin e energjisë së rinovueshme, si p.sh., energjia gjeotermale, diellore dhe ajo nga mbetjet urbane, pranë ndërtesave publike.
  9. Që nga viti 2008, qyteti i Chicago-s ka planifikuar një strategji për krijimin e një klime të qëndrueshme. Ky qytet është një nga qytetet më të mëdha në SHBA, që kanë si qëllim të reduktojnë emetimet e karbonit, kjo përmes angazhimit të banorëve të vetë qytetit.
  10. Arendal, mund të jetë një nga qytetet më të vogla, në krahasim me kanditatët e tjerë të “Ora e Tokës dhe Sfidat e Qyteteve”, por strategjitë që ka janë shumë të mëdha. Qyteti ka përfituar nga prania e një zyre të OKB-së, për të nisur një bashkëpunim me Bashkimin Europian, në lidhje me çështjet e qëndrueshmërisë.
  11. San Francisco ka vendosur një objektiv, që brenda 10 vitesh të shfrytëzojë 100 % energjinë e rinovueshme. Aktualisht të gjithë ndërtesat e qytetit, janë duke shfrytëzuar energjinë hidroelektrike nga rezervuari Hetch Hetchy. Në këtë mënyrë do të mund të shmangen emetimet e dioksidit të karbonit nga 800 000- 1 500 000 megaton CO2.
  12. Surrey ka në strategjitë e tij përdorimin e energjisë së pastër. Qyteti ka punuar fuqishëm për reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit në të gjithë sektorët, por sidomos në ndërtesat dhe transportin. Vizioni është për një periudhë 50 vjeçare.

Përgatiti: Ilda Demollari